Profesionistët e ndriçimit
Bashkëbisedim me arkitektin e “N’shtëpi të re” në Top Channel: LUAN ALIU
- Mendimi juaj si arkitekt për ndriçimin?
– Një element thelbësor në një ambient të brendshem. Përveç funksionalitetit, po aq e rëndësishme është edhe estetika apo stili i ndriçuesit, pasi është një objekt që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në kubaturën e një interieri. Madje për të bërë një retrospektivë, në të gjitha epokat e njerëzimit shandanet janë përdorur për ti dhënë klas dhe madhështi holleve të sunduesve. Mirëpo kohët kanë ndryshuar, e si rrjedhojë edhe dizajnet e tyre, duke evoluar dhe duke sjellë alternativa pa fund dhe në stile të ndryshme.
Një ndriçues është më shumë sesa kaq, është një aksesor që kompleton interierin, herë duke u përshtatur, e herë duke u kontrastuar e duke u bërë protagonist në ambientin që ndodhet.
- Sa i rëndësishëm është dizenjimi i ndriçimit arkitekturor referuar eksperiencës tënde?
– Mendoj që një nga faktorët që ndikon më shumë në dizenjimin e brenshëm dhe atij të jashtëm është padyshim ndriçimi. Personalisht, ambientet e brendshme më apasionojnë më shumë dhe mund të them me bindje që një nga elementet që mbizotëron një interier është ndriçimi. Në çdo projekt në të cilin kam patur ndikimin tim apo të cilin mund ta kem ndjekur plotësisht apo pjesërisht, ndriçimi ka qënë çdo here “qershia mbi torte”.
- A ka në tregun Shqiptar arkitektë të specializuar vetëm për ndriçimin?
– Në dijeninë time në tregun Shqiptar nuk ka arkitektë të dedikuar vetëm për ndriçimin. Patjetër që kemi specialistë shumë të talentuar të cilët mbulojnë edhe këtë fushë, por është ende herët që të flasim për specialistë vetëm për ndriçim 100%, pa u përfshirë në fusha të tjera.
- Cili është mendimi juaj në lidhje me emocionin që provokon drita e duhur dhe ndriçimi i duhur në një ambient?
– Mendoj që edhe piktura edhe fotografia kanë në bazë dritën. Edhe vetë imazhet që percepton shikimi ynë s’munden pa dritën sepse ajo i shquan ata, dhe e bukura e së gjithës është se shqisat lidhen me njëra tjetrën duke formuar pashmangshmërisht emocionin. Emocioni është më pas gjeneza e çdo përjetimi, kjo edhe falë ndriçimit.
- A është ndriçimi gjuha më e rëndësishme mes të cilës flasin dhe ndërlidhen shumë fusha në arkitekturë?
– Padyshim që po, një ndriçim i duhur të nxjerr në dritë duke evidentuar bukurinë e një ambienti, sikurse të “fundos” nëse nxjerr në pah të metat e tij.
- Çfarë cilësish duhet të ketë një dizenjues profesionist?
– Një profesionist ndriçimi duhet të përdorë ndriçimin si një material konstruksioni, dhe në këtë rrugëtim ai duhet të jetë: i ndjeshëm si një artist, pragmatik sa një dizenjues, dhe kurioz sa një shkencëtar. Rëndësi ka që ai ti përgjigjet pyetjes, çfarë ndjesie do që të transmetosh me anën e hapësirës së krijuar.
21 Oct, 2021