Kur të rinjtë bashkohen për të sjellë ide të reja, lindin zgjidhje që mund të ndryshojnë të ardhmen. Këtë e dëshmoi eventi “Tung Ideve“, organizuar nga Epoka University, ku 11 grupe gjimnazistësh prezantuan idetë e tyre novatore për biznese.
Teoren ishte pjesë e këtij eventi të veçantë, duke mbështetur të rinjtë në udhëtimin e tyre drejt sipërmarrjes dhe inovacionit. Në juri, si përfaqësues i kompanisë, ndodhej Specialisti i Marketingut Dixhital, Olgert Balla, nga Departamenti i Marketingut. Pasi dëgjoi perspektivat unike dhe prezantimet plot energji, Olgert Balla ofroi këshilla të vlefshme për kthimin e këtyre ideve në realitet dhe përmirësimin e tyre.
Nga Eglo dhe Ecosoft Albania, marka të rëndësishme që janë pjesë e Teoren Group, u dhanë dy çmime për idetë inovatore, me rëndësi të veçantë në mjedis, bujqësi dhe ekonomi. Vlerësimi u bë jo vetëm për të inkurajuar të rinjtë në nismën e tyre, por edhe për të çmuar mesazhin e fuqishëm që këto iniciativa promovojnë.
Çmimi Ecosoft shkoi për “Fi Plast” – projekt-ide e bazuar në riciklimin e plastikës dhe kthimin e saj në fije, me qëllimin për ta ripërdorur në prodhimin e artikujve të ndryshëm, duke kontribuar kështu në uljen e ndotjes plastike në mjedis. Ky projekt dëshmon se inovacioni dhe përgjegjësia ekologjike mund të ecin krah për krah me biznesin. Qasja rezonon me filozofinë e vetë Ecosoft-it, pasi ne besojmë se çdo hap drejt një bote më të pastër është një hap drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme e të shëndetshme. Ky çmim nuk është thjesht një vlerësim, por një mesazh i qartë për mbështetjen që Teoren garanton për çdo iniciativë që kontribuon në një mjedis dhe të ardhme më të mirë.
Çmimi i dytë, ai i Eglo-s, iu dha “CropVisor”, një grupi që synon të revolucionojë dhe përmirësojë mënyrën se si fermerët marrin vendime për kultivimet e tyre. Platforma, e cila ishte ndërtuar si një udhëzues dixhital, analizon faktorë si klima, cilësia e tokës dhe kushtet agronomike, duke u dhënë fermerëve rekomandimet më të mira se ku dhe çfarë duhet të mbjellin. Mënyra e tyre e të menduarit jashtë kornizave, kreativiteti dhe prezantimi profesional ishin vërtet mbresëlënëse. “CropVisor” është një shembull i shkëlqyer se si teknologjia mund të shërbejë për të krijuar zgjidhje praktike, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e bujqësisë, ekonomisë dhe biznesit.
Ne besojmë se e ardhmja ndërtohet nga të rinj që guxojnë të mendojnë ndryshe dhe të sfidojnë kufijtë e së zakonshmes. Prandaj, do të vazhdojmë të mbështesim ata që, me vizion, pasion dhe devotshmëri, synojnë të sjellin risi dhe të bëjnë një ndryshim të vërtetë kudo ku ata përfshihen!
Ndiqni Videon