Shitja online është padyshim një nga aspektet më të rëndësishme të të gjithë procesit të shitjes së produkteve tona dhe askush nuk mund të na japë një pasqyrim më të vlefshme mbi këtë temë sesa operatorja jonë e shitjeve online për 4 vjet, Kejsi Xhemo.
Kur u pyet për vendimin e saj për t’u bashkuar me Teoren, Kejsi reflektoi për udhëtimin e saj:
– “Aplikimi im në Ecosoft erdhi si fillim duke u nisur vetëm nga dëshira për të krijuar një experiencë në një kompani të mirëstrukturuar. Shumë shpejt e kuptova se kjo ishte kompania ku doja të rritesha profesionalisht.”
A ju pëlqen puna që bëni dhe pse?
– “Më pëlqen puna që bëj sepse cdo ditë lindin sfida të reja, të cilat pengojnë që monotonia të bëhet pjesë e rregullt e ditës sime të punës. Çdo ditë sjell klientë të rinj për të komunikuar, situata të reja për të përballuar dhe porosi të ndryshme për t’u përmbushur. Ky mjedis dinamik është ai që më ndihmon të përmirësoj aftësitë e mia të shitjes.”
Cila është sfida më e madhe kur punoni me shitjet në internet dhe kujdesin ndaj klientit?
– “ Sfida më e madhe është koha, pasi ka momente kur duhet t’i përgjigjem disa klientëve në të nëjtën kohë, të kryej detyra të ndryshme ndërkohë që I shërbej klientëve dhe për më tepër t’i përshtatem të gjithë tipologjive të ndryshme të klientëve që mund të has.
Për fat të mirë, ekipi ynë përpiqet të përmbushë të gjitha kërkesat dhe porositë e bëra, por adresimi i nevojave të secilit individ në kohën e duhur ndonjëherë mund të jetë mjaft sfidues.”
Në sytë e klientëve, ju shërbeni si përfaqësuese e kompanisë. A ju krijon kjo stress dhe përgjegjësi të lartë, pasi jo vetëm që shisni, por jeni në një farë mënyre zëri i kompanisë dhe i markës?
– “ Stres nuk mund të them, por përgjegjësi patjetër që po, pasi unë jam kontakti i parë me ta. Përgjegjësia më dyfishohet, pasi jo vetëm që më duhet t’i informoj, të kryej porositë, t’i jap zgjidhje problematikave të ndryshme, por më duhet të përcjell tek ata zërin e kompanisë bashkë me përgjegjshmërinë dhe korrektësinë që kompania ka kundrejt klientëve dhe shoqërisë.”
A ju ndodh që të kujdeseni më shumë se sa kërkon puna juaj për nevojat dhe pritshmëritë e klientëve?
– “ Sigurisht që po sepse gjatë shërbimit të klientëve, në një farë mënyre afeksionohem me ta, pasi më konsiderojnë si pikë reference për zgjidhjen e çdo problemi.
Prandaj, kur ata kërkojnë support për diçka që nuk përfshihet në detyrat e punës time, e kam të vështirë t’i drejtoj diku tjetër apo mos t’ua zgjidh problemin.
Për fatin tim të mië, në Teoren, ne punojmë si një ‘team’ dhe pavarësisht marrjes përsipër të detyrave që nuk të përkasin, kjo nuk krijon stress sepse gjërat zgjidhen menjëherë me frymën e mirë të bashkëpunimit.”
A do ta konsideronit punën tuaj të rëndësishme për besnikërinë e klientit ndaj kompanisë?
– “ Sigurisht që është e tillë, pasi siç e thamë më parë, unë jam kontakti i tyre i parë dhe i drejtpërdrejtë me kompaninë.
Nëse shërbimi që marrin nga unë nuk është ai që pritet nga ana e tyre, atëherë ata do të humbasin besueshmërinë ndaj kompanisë dhe brand-it.”
Cili është, për ju, çelësi për të ofruar një shërbim cilësor?
– “ Do të thoja që nuk është një i vetëm sepse janë disa faktorë që ndikojnë nëse cilësia e shërbimit është e duhura apo jo si: kthimi i përgjigjes në kohë reale tek klientët, komunikimi etik dhe i ngrohtë dhe zgjidhja e problematikave në kohën më të shkurtër të mundshme.”
Cila është pika juaj më e fortë?
– “ Padiskutim që pika ime më e fortë është komunikimi, i cili më bën të mbyll kontaktet me klientët në mënyrën më të mirë të mundshme.
Për t’u treguar e sinqertë, jo gjithmonë kemi klientë të lehtë dhe mbyllja me sukses e ciklit të shitjes, përveç durimit dhe korrektësisë, kërkon padiskutim një formë komunikimi që i përshtatet çdo tipologjie klienti.”
Çfarë ju mërzit më shumë në punën tuaj?
– “ Edhe pse e dua punën time, disa aspekte e bëjnë të vështirë operimin në këtë pozicion, si telefonatat në orët e vona apo klientët që insistojnë në kërkesat që unë i kam hedhur poshtë më parë për arsye të ndryshme. Edhe pse të pakta, këto janë raste kur mund të them se jam ndjerë i mërzitur gjatë punës.”
Cili është klienti juaj ideal?
– “Nuk mund të kualifikoj dhe veçoj dikë si klient ideal sepse sipas meje, të gjithë klientët janë dhe duhet të trajtohen njësoj, por pa diskutim klienti që ka njohuri paraprake për produktet tona, kombinuar me dëshirën dhe fuqinë financiare për t’i blerë është klienti që do ta klasifikoja si ideal sepse e bëjnë mbylljen e ciklit të shitjeve më të shpejtë dhe më të suksesshëm.”
Cili do të ishte “titulli” që do t’i jepnit punës/eksperiencës suaj në Ecosoft?
– “ Përgjegjësi – Ky është titulli që do të përdorja për të përshkruar përvojën time të punës në Ecosoft. Menaxhimi i detyrave brenda departamentit dhe adresimi i nevojave të klientëve me integritet dhe besueshmëri pasqyrojnë angazhimin tim për të respektuar standarde të larta. Përkushtimi im ndaj këtyre parimeve, që nga ana tjetër është edhe përgjegjësia ime, ka kontribuar ndjeshëm në suksesin e ekipit dhe kënaqësinë e klientëve tanë, duke përmbledhur këndvështrimin tim mbi përvojën time aktuale të punës.”